Secondary Adv

Aeroporti i Tiranës drejt një tjetër viti rekord, 25 për qind më shumë pasagjerë në prill

Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës vijon zgjerimin e shpejtë gjatë vitit 2026, duke regjistruar mbi 1.13 milionë pasagjerë vetëm në muajin prill dhe duke konfirmuar trendin e fortë të rritjes së trafikut ajror.

Sipas të dhënave zyrtare të publikuara nga Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës, gjatë muajit prill janë përpunuar 1,133,634 pasagjerë, ose 25 për qind më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Rritja është reflektuar edhe në numrin e fluturimeve, që arritën në 6,724, me një zgjerim prej 24 për qind në raport me prillin e vitit 2025.

 

Nga fillimi i vitit deri në fund të muajit prill, aeroporti ka përpunuar gjithsej 3.29 milionë pasagjerë, duke shënuar një rritje vjetore prej 10 për qind. Në të njëjtën periudhë, numri i lëvizjeve të avionëve ka arritur në 19,400.

 

Londra mbetet destinacioni kryesor

Londra vazhdon të jetë destinacioni më i frekuentuar për udhëtarët që fluturojnë nga dhe drejt Shqipërisë. Vetëm gjatë muajit prill në këtë linjë janë transportuar 102,688 pasagjerë. Pas saj renditen Bergamo me 69,320 pasagjerë, Roma me 50,874, Brukseli me 46,450 dhe Bolonja me 46,100 pasagjerë.

 

Trafik të konsiderueshëm kanë regjistruar gjithashtu edhe destinacionet Treviso me 42,507 pasagjerë, Pisa me 41,762, Stambolli me 38,325 dhe Milano me 35,510 pasagjerë.

 

Rritje të forta në tregjet e reja

Të dhënat tregojnë zgjerim të ndjeshëm edhe në disa destinacione të reja. Napoli ka regjistruar rritjen më të lartë me 329 për qind, i ndjekur nga Torino me 194 për qind, Bukureshti me 113 për qind, Praga me 112 për qind dhe Trieste me 107 për qind. Rritje të konsiderueshme janë shënuar edhe në linjat drejt Stokholmit, Varshavës dhe Zyrihut.

 

Gjatë muajit prill, aeroporti operoi me 23 kompani ajrore dhe ofroi lidhje me 87 destinacione në 28 vende të ndryshme, duke zgjeruar më tej rrjetin e fluturimeve dhe mundësitë e udhëtimit për pasagjerët.

 

Investimet mbështesin zgjerimin e trafikut

Rritja e vazhdueshme e trafikut ajror po ecën paralelisht me investimet në infrastrukturën aeroportuale. Pas zgjerimit të terminalit, rritjes së kapaciteteve operacionale dhe investimeve në teknologji e shërbime, Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës po vijon projekte të reja për të përballuar fluksin në rritje të udhëtarëve.

 

Objektivi i operatorëve është ruajtja e ritmeve të zgjerimit dhe forcimi i pozicionit të aeroportit si një nga qendrat kryesore të transportit ajror në Ballkanin Perëndimor, në një kohë kur Shqipëria po tërheq gjithnjë e më shumë turistë dhe investime në sektorin e udhëtimeve.

Burimi: Ekofin.al


Më të lexuarat